Nuk mundi t'i mbijetonte plagëve, ndërron jetë ushtaraku i dytë në Letoni

11 Maj 2019, 11:19

Mbrëmjen e së premtes atdheut iu shtua fatkeqësisht një tjetër dëshmor! Një lajm i dhimbshëm vjen sërish nga Letonia. Pas vdekjes së nëntetares Zarife Hasanaj, ka ndërruar jetë edhe major Klodian Tanushi. Tanushi nuk mundi që t'i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Prej 4 ditësh ishte i shtruar në spitalin e Rigës në gjendje të rëndë, e ndërsa ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes.

Major Tanushi u largua duke lënë pas gruan dhe tre fëmijët, më të voglin vetëm një vjeç. Familjarët e tij e mësuan lajmin nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku dhe zv.shefja e SHPFA, gjeneral Manushaqe Shehu.

Ky lajm i trishtë vjen në të njëjtën ditë kur u përcoll për në banesën e fundit, kolegia e tij, Zarife Hasanaj.Ajo u shpall dëshmore e atdheut dhe u varros në një ceremoni solemne në varrezat e Dëshmorëve.

Lajmi për mediat u bë i ditur nga ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka. "Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forëard Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!", shkruan Xhaçka.