Nuk njohu mandatin e Sakos, Apeli rrëzon gjykatën e Shkallës së Parë për kryebashkiaken e re të Durrësit

30 Korrik 2019, 15:31

Gjykata e Apelit në Durrës ka shfuqizuar vendimin e gjyqtares së shkallës së parë Mimoza Margjeka lidhur me vërtetimin e mandatit të kryetares së bashkisë Valbona Sako.

 Apeli ka rrëzuar vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë duke pushuar kështu çështjen kundrejt kryetares së re të Durrësit të dalë nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kujtojmë se vendimi i shkallës së Parë dhënë nga gjyqtarja Margjeka, e konsideronte procesin zgjedhor nul pasi sipas saj Bindja Demokratike ishte regjistruar me vonesë. Ka qenë vetë Sako ajo që e apeloi vendimin e Margjekës. Në këtë mënyrë apeli zgjidhi këtë çështje e cila krijonte përshtypjen e një nonsensi juridik.

Ndërsa gjyqtari i Apelit, Arjan Balliu relatori i kësaj çështjes së bashku me 2 gjyqtarë të tjerë rrëzuan vendimin e Margjekës. Pas shpalljes fillimisht si nul të procesit zgjedhor të 30 qershorit, herën e dytë, kërkesa për njohjen e mandatit të Sakos u bë nga Partia Socialiste dhe ishte firmosur nga kryeministri Edi Rama.

Në këto kushte mbetet në fuqi vendimi i gjyqtarit të shkallës së parë Shpëtim Reka i cili me kërkesë të kryetarit të PS Edi Rama vërtetoi mandatin e Sakos.

Mëqënëse vendimi i Rekës ishte i formës së prerë nuk shqyrtohet nga Apeli dhe ka hyrë menjëherë në fuqi. Në këtë mënyrë gjykata e Apelit duke shfuqizuar vendimin e Margjekës ka lënë në fuqi vetëm një vendim të gjykatës së shkallës së parë për vërtetimin e mandatit të Sakos.

    No videos found.