Nuk pranoi që të kandidonte për deputet, Rama përjashton Dritan Lelin nga fushata zgjedhore

11 Mars 2021, 12:58

VLORË- Pasditen e djeshme i deleguari politik Damian Gjiknuri ka mbledhur asamblenë e Partisë Socialiste në Vlorë, ku ka prezantuar kandidatët për deputetë në këtë qark me zonat ku do të punojnë.

Në këtë mbledhje, Gjiknuri mësohet se ka lexuar një letër mesazh nga kryeministri Edi Rama, i cili ka surprizuar të pranishmit në sallë, ku shkruhej se kryebashkiaku  Dritan Leli nuk do të jetë më pjesë e fushtës së PS-së në Vlorë.

Mësohet se në letrën e dërguar nga kreu i qeverisë, është thënë se Dritan Leli është i lirë nëse do të ndjekë privatisht fushatën, apo ndonjë kandidat për deputet që ai mbështet. Letra është lexuar nga i deleguari politik Damian Gjiknuri përpara asamblesë në Teatrin ‘Petro Marko’, mbledhje e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Ndërkohë që mësohet se ditën e sotme kryeministri Edi Rama do të jetë në Vlorë ku do të zhvillojë një takim me kandidatët për deputet në këtë qark tek Vilat Qeveritare, dhe paraprakisht raportohet se Leli nuk do të marrë pjesë në mbledhje.

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama theksoi në një konferencë për mediat se kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Lelit i kishte bërë një ftesë për të kandiduar, por që nuk e kishte pranuar Leli.

Për këtë Rama tha se pavarësisht refuzimit të tij, PS do të arrijë objektivat e veta në Vlorë.  “Në formimin e një skuadre ka dinamika të brendshme, nuk ka fare rendësi se çmendon njëri dhe tjetri. Është e vërtetë që i propozova të bëhet pjesë e skuadrës nuk e ka parë të arsyeshme, me të, pa të skuadra jonë do të arrijë objektin bazë”, tha Rama pak ditë më parë.