Nuk respektuan masat Anti-COVID, gjobiten 1181 qytetarë, ndër to 1173 për mosvendosjen e maskës

19 Shkurt 2021, 13:38
  1. Policia ka njoftuar se janë ndëshkuar me masë administrative 1181 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, 1173 prej tyre për mosvendosjen e maskës mbrojtëse.

    Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 950 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

    Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 223 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

     Gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 8 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative dhe janë lënë të lirë.

     Gjatë kontrolleve në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një lokal që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë. 

    Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 7 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00. 

    Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.