Nuk respektuan masat anti-COVID, gjobiten 2.055 qytetarë, 2.013 pa maskën mbrojtëse

29 Mars 2021, 14:21

Policia e Shtetit, gjatë fundjavës për shkak të mos respektimit të masave anti-COVID ka gjobitur 2.055 qytetarë.

2013 qytetarë janë konstatuar pa maskën mbrojtëse, ku 235 prej tyre janë kapur teksa po udhëtonin në mjetë private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjete e transportit publik, pa maskën anti-COVID.

Gjatë kontrolleve të policisë , janë evidentuar 5 subjekte të ndryshme të cilat kryenin aktivitet në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe si pasojë janë gjobitur me shumën prej 1.000.000 lekësh.

Për sa i përket orës policore, gjatë fundjavës e kanë shkelur 27 qytetarë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit: 

Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë fundjavës, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, 2055 shtetas që nuk kanë zbatuar masat anticovid, 2013 prej tyre për mosvendosjen e maskës mbrojtëse. 

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë fundjavës, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 1778 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 235 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.