Studentët kërkuan dorëheqjen e Dhori Kules se nuk shkoi në takim, Dekanati: Nuk caktuan datën dhe orën

15 Dhjetor 2018, 19:23 | Përditesimi i fundit: 2018-12-15 22:14:55

Studentët e Fakultetit Ekonomik kërkojnë dorëheqjen e Dhori Kule, me argumentin se dekani nuk po i mbështet ata për tetë kërkesat e parashtruara qeverisë. Studentët e Ekonomikut kishin kërkuar takim me Kulen, por ky i fundit kishte propozuar që studentët të ngrinin një përfaqësi prej 20 vetash. Kule iu kishte bërë të ditur se këtë përfaqësi do ta priste në një takim këtë pasdite, për t'i dëgjuar lidhur me 8 kërkesat e parashtruara.

Pas kërkesës së studentëve për dorëheqjen e Dhori Kules, ka ardhur reagimi i Dekanatit të Fakultetit Ekonomik. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Dekanati sqaron se pretendimet e studentëve nuk qëndrojnë, duke hedhur poshtë se ka qenë Dhori Kule ai që nuk ka shkuar në takim. Në reagim saktësohet se ka pasur një kërkesë për takim nga një student por që nuk kishte njoftuar për datën dhe orën e mbajtjes. Megjithatë, Dekanati thekson se ditën e hënë ora 09:00 pret në takim përfaqësinë e studentëve.