Nuk tërhiqet Bylykbashi edhe pas shoqërimit në polici: Më 30 qershor të kalohet mbi trupat tanë, do jemi dëshmorët e rinj të demokracisë

25 Qershor 2019, 17:04

Ish-kryetari i Partisë Demokratike në Elbasan, Aurel Bylykbashi, nuk është tërhequr nga deklaratat për vëllavrasje më 30 qershor, për të cilat u mor në pyetje nga policia e Elbasanit. në një prononcim për mediat pas marrjes në pyetje, ai është shprehur sërish me të njëjtat tone si dje në takimin ku u krijua Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.

" Ky ka qenë një postim që unë kam vendosur me figurë video dhe tekst çfarë kam thënë dhe i mbetem besnikë të gjithë atyre që kam thënë. Nuk ka presion që mund të na mposhtë në këtë kauzë të drejtë për të rivendosur demokracinë dhe lirinë në Elbasan dhe në Shqipëri. Demokracia shqiptare ka dëshmorët e vet ndër vite që fillojnë herët para gati 70 vjetëve, dhe nuk ka asnjë të keqe, nëse duhet për të vënë lirinë dhe demokracinë në Shqipëri të kalohet dhe mbi trupat tanë, le të jemi ne dëshmorët e rinj të demokracisë shqiptare. Ky është qëndrimi im i qartë dhe i prerë", tha ai.

Aurel Bylykbashi tha se ka pasur një telefonatë për tu paraqitur në polici, dhe ka shkuar vetë, edhe pse thotë se në fletë shkruhej "arrest në flagrancë"

"Kane qenë oficer policie që më morën në pyetje mbi bazën e një indicie në lidhje me postimin në facebok pjesëmarrja ime në krijimin e aleancës", shtoi ai.

Sa i përket takimeve elektorale që kreu i qeverisë do të ketë të enjten në Elbasan, anëtari i Partissë Demokratike, Bylykbashi u shpreh:  "PD dega Elbasan edhe në kuadër të Aleancës ka bërë kërkesë në polici për tubim në pallatin e sportit, që nga ne gjykohet si tubim protestë paqësore dhe një mesazh drejtuar Ramës, për t'i thënë që kështu nuk mund të vazhdojë me dhe vendi ka nevojë për zgjidhje të shpejtë politike për të mos e çuar vendin në katastrofë në 30 qershor , ky është mesazhi që duam t'i përcjellim kryeministrit Rama".