Nxënësit nisin mësimet rreth kodimit, Veliaj: Së shpejti pikëtakimi te piramida

8 Nëntor 2019, 11:55

Nxënësit e shkollave të kryeqytetit po i kushtojnë një rëndësi të veçantë teknologjisë së informacionit. Teknologjia është e ardhmja dhe të vegjlit duan të mësojnë sa më shumë rreth saj. Fokusi i tyre duket qartë në postimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ku nxënësit e shkollës "Gustav Mayer" shfaqin interes për këtë fushë, duke treguar shembuj të ndryshëm nga informacionet që ata kanë.

Ndërsa shumë shpejt të apasionuarit pas kodimit dhe teknologjisë do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësitë e tyre te Piramida, e cila falë nismës së Bashkisë së Tiranës do të shndërrohet në një godinë kushtuar posaçërisht kësaj fushe kaq të rëndësishme për të ardhmen. "Nxënësit e shkollës “Gustav Mayer” duan me patjetër të mësojnë gjithçka rreth kodimit. Me dëshirën dhe vullnetin që kanë, pak nga pak do të bëhen gjeni në të ardhmen. Mezi pres që t’i shoh së shpejti te pikëtakimi i të apasionuarve pas teknologjisë, PIRAMIDA", shkruan kryebashkiaku Veliaj në Facebook.