OBSH: Gjendja në Evropë nuk është e qëndrueshme/ Italia dhe Britania e Madhe rekorde të reja

4 Dhjetor 2020, 13:06

Gjendja e pandemisë në Evropë është e paqëndrueshme ndërsa  në Itali dhe Britaninë e Madhe shënohen rekorde të reja të viktimave nga Covid-19. Të enjten Italia shënoi një rekord prej pothuajse 1,000 viktimash duke thyer rekordin e saj të mëparshëm ditor të vendosur në kulmin e valës së parë të pandemisë në 27 Mars ku u shënuan 969 vdekje nga COVID-19. Situata paraqitet edhe më e rëndë në Britaninë e Madhe ku numri i viktimave tejkaloi 60,000.

Vetëm SHBA, Brazili, India dhe Meksika kanë regjistruar më shumë viktima se Mbretëria e Bashkuar, por ajo e ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë për 100 000 persona krahasuar me vendet e tjera më të goditura.

OBSH paralajmëroi që pandemia po përhapet me shpejtësi në të gjithë Evropën ndërsa rastet rriten në Evropën Qendrore, Ballkanin dhe Kaukaz.

"Ne nuk mund të themi se jemi në një situatë të qëndrueshme në të gjithë rajonin për momentin," tha Dr Catherine Smallwood .

Rastet në Evropë, përbëjnë 40% të rasteve globale, tha Dr Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, duke paralajmëruar se rastet në rritje në Evropën Qendrore dhe Jugore ishin "shqetësuese".

Gjeorgjia, Serbia, Luksemburgu dhe Kroacia kanë numrin më të lartë të rasteve COVID-19 për 100,000  banorë në dy javët e fundit.

Shkalla e  rritjes së infeksionit në Serbo është rritur me 121% në këtë periudhë dy-javore, me një total prej 191.356 rastesh të konfirmuara, duke shënuar një rekord ditor prej 7,000 raste. Javët e fundit patraiarku serb humbi jetën nga Covid-19 dhe në ceremoninë e tij mortore morën pjesë shumë qytetarë, duke rritur edhe më shumë numrin e të infektuarve.