Oferta e Ramës për opozitën: Votojmë reformën zgjedhore, nëse fitoni një bashki më shumë se PS, shkojmë në zgjedhje të parakohshme

23 Mars 2019, 14:11

Kryeministri Edi Rama ka bërë ofertën e parë konkrete për opozitën e dalë jashtë parlamentit. I ka shtrirë dorën e dialogut për të bërë së bashku reformën zgjedhore, me sugjerime të Lulzim Bashës, kryetarin të PD-së dhe Monika Kryemadhit të LSI-së, duke përfshirë edhe masa të forta kundër shit-blerjes së votave, dhe më tej për ta miratuar me deputetët e rinj të opozitës në Kuvend ardhur nga listat e PD-së dhe LSI-së. Rama i bëri apel opozitës të hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit me ndryshimet e reja zgjedhore, edhe votimin elektronik sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, dhe nëse arin të marrë qoftë edhe një bashki më shumë se sa PS-ja, atëherë kryeministri u shpreh i gatshëm për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. Një sfidë që kreu i qeverisë, nuk beson se opozita do ta kalojë.

"Janë zgjedhjet e 30 qershorit që do vendosin, në emër të aleancës të pathyeshme që kemi me qytetarët. I them Lulzim Bashës dhe atyre qe e ndjekin pas: Na vjen turp për ju, dhe na vjen keq për ata që braktisët qe votuan për ju. Por është e drejta juaj t'i tradhtoni, turpin e Shqipërisë dhe historisë së parlamentarizmit shqiptar, ne nuk kemi mandat t'ju japim pushet në tavolinë. Por një ftesë e kam ende për ju. Jeni ju që i keni rrokanisur kokën shqiptarë dhe miqve ndërkombëtarë për reformën zgjedhore, dhe që keni mbajtur peng Shqipërinë për votimin elektronik, hajdeni ulemi, ta miratojmë së bashku atë reformë, të biem dakord, t'i eksperimentojmë në disa zona, që në 30 qershor eksperimentojmë votimin elektronik. Jemi gati të votojmë në Kuvend çdo masë që mund të propozojë doktoresha e shkencave, Kryemadhi, pastaj e kalojmë vet në Kuvend me deputetët e rinj, ata i keni zgjedhur ju jo ne.

Nëse në 30 qershor fitoni një bashki më shumë se ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që në vjeshtë. E di që ju Luzim dhe ju pas Lulzimit nuk do e pranoni këtë sfidë se e dini ndaj keni dalë në rrugë, që aleancën e PS me njerëzit nuk e mundin dot me zgjedhje as në Kukës as në Skrapar lërë më pastaj në gjithë Shqipëri. Kjo ju ka dëshpëruar dhe t'i shkoni rrugës qorre deri tek ëndrrat me dhunë, ju jeni të parët që e dini që ne kemi fituar dhe do fitojmë kundër të gjithëve ju bashkë, dhe këtë herë më thellë, se jemi zëri dhe forca për të ardhmen e Shqipërisë", tha Rama.

    No videos found.