Oferta Mustafës për Kurtin, një ministri më tepër Vetëvendosjes në këmbim të presidentit

19 Dhjetor 2019, 11:41

Në tentativë për të arritur një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re të Kosovës, lideri i LDK Isa Mustafa ka hedhur ka dalë me një ofertë të re për Vetëvendosjen.

Ai ka propozuar që ti jap një ministri më tepër Lëvizjes Vetëvendosja në këmbim të pozitës së presidentit.Mustafa ka thënë se propozimi i tij parasheh që ministria t’i jepej Vetëvendosjes në vitin 2021, në momentin që presidenti i propozuar nga LDK- ja të merrte votat e mjaftueshme nga Kuvendi i Kosovës.

Por duket se propozimi i Mustafës është hedhur poshtë nga lideri i VV Albin Kurti, i cili këmbëngul që posti i presidentit nuk duhet të jetë pjesë e pazareve politike. Ai përfaqëson unitetin e popullit dhe se është ende herët për të diskutuar për të.

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së Mustafa ka treguar se LDK-ja nuk ka plan B për të ardhur në Qeveri në rast të dështimit të marrëveshjes më VV-në, dhe si rrjedhojë nuk përjashton mundësinë për të kaluar në opozitë.

Ndërkohë nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se LDK-ja po pret nga Vetëvendosje të njëjtin vullnet politik siç e ka partia e saj për të arritur marrëveshjen e koalicionit.

Ajo tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë në dy rastet që obligon Kushtetuta.

Në lidhje me postin e Presidentit, Osmani tha se është çështje e balancimit të pushtetit dhe asgjë më tepër.

Osmani tha se të gjitha çështjet do të diskutohen në tavolinë me VV-në në momentin që do të mbahet takimi i radhës ndërmjet VV-së dhe LDK-së.

Por për momentin afrimet e qëndrimeve mes dy forcave politike duken ende larg dhe një takim i mundshëm mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës nuk dihet se kur do të jetë.