Ofertuesit s'plotësuan kriteret, anulohen tenderat për projektet e rindërtimit të 10 shkollave dhe kopshteve në Tiranë! Bashkia rihap garën

27 Prill 2020, 13:28

TIRANË- Vetëm pak ditë pasi u shembën disa nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në kryeqytet, sot Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar se tenderi për projektet e rindërtimit të 10 objekteve arsimore është anuluar për mos plotësim të kritereve dhe është rihapur sërish nga Bashkia e Tiranës.

Tenderi me fond limit 14.3 milionë lekë u anulua pasi asnjëra nga kompanitë pjesëmarrëse nuk plotësoi kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm. Burime nga Bashkia e Tiranës thanë për Report Tv se ndikim ka pasur edhe situata me pandeminë COVID- 19 duke vonuar plotësimin e dokumenteve dhe me rihapjen e tenderit me procedurë të përshpejtuar pritet që gjithçka të mbyllet brenda 10 ditësh.

Pjesë e këtij tenderi projektimi është dhe gjimnazi  “Sami Frashëri” që u shemb pak ditë më parë nga IKMT, me fondin limit më të lartë, mbi 3.6 milionë lekë. Po ashtu edhe projektimi i rindërtimit të shkollave 9 vjeçare “Hasan Vogli”, “Mangull”, “Pezë e Vogël”, “Qazim Turdiu”, “Murat Toptani” dhe “17-Shkurti”. Do të ndërtoheshin 2 kopshte, “Fikas” dhe Gurrë, si dhe ndërtim i shkollës cikli i ulët “Pajan”.

Mirëpo nuk ka zgjatur shumë dhe Bashkia e Tiranës rihapi përsëri tenderin për projektin e ndërtimit të 11 objekteve arsimore këtë herë duke u shtuar në listë edhe shkollën 9-vjeçare “Xhezmi Delli me vlerë studim projektimi 1.6 milionë lekë pa TVSH.