OFL i kërkon të justifikojnë pasurinë Ervis Martinajt dhe dy vëllezërve Kaçorri

19 Shkurt 2020, 15:18

TIRANË - Ervis Martinaj, në hetim për vrasje me paramendim, ka 48 orë nga sot, për të vetëdeklaruar pasurinë së bashku me argumentet dhe burimin e tyre, për t'u futur më pas në 'sitën' e Operacionit Forca e Ligjit, dhe më tej SPAK-ut e Gjykatës të Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nëse pasuritë e tij janë apo jo me burime të ligjshme apo me përfitime të ardhura nga bota e krimit. 

Bashkë me Martinajn, këtë të mërkurë, Operacioni "Forca e Ligjit" u ka dërguar me shkrim kërkesën për të bërë vetëdeklarim të pasurive edhe dy vëllezërve Arben dhe Valentino Kaçorri nga Tirana, të dënuar në Itali për vrasje dhe trafik të armëve."Brenda 48 orësh, të tre, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme", tha në një deklaratë për mediat zëdhënësja e OFL-së.

Ervis Martinaj, momentalisht është person në hetim për ngjarjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-bllokut, ku në një përplasje me armë, Ervis Martinaj mbeti i plagosur në qafë, ndërsa u vra miku i tij Fabiol Gaxha dhe mbeti i plagosur rëndë Eljon Hato.  I lindur në Burrel në vitin 1982, emri i Ervis Martinajt është lakuar për një sërë ngjarjesh të rënda në Tiranë. Megjithatë, para përplasjes së armatosur në ish-Bllok, ai është hetuar dhe dënuar tre herë për organizim llotarish të palejuara si dhe u procedua për vrasjen e Enton Nikës në vitin 2015 në Linzë, ngjarje për të cilën Gjykata e Apelit të Tiranës e çliroi nga akuzat.

Tre subjektet e OFL
Ervis Martinaj nga Kurbini në hetim vrasje me paramendim
Arben Kaçorri nga Tirana, i dënuar në Itali për vrasje
Valetino Kaçorri me banim në Tiranë, i dënuar në Itali vrasje trafik armësh