OFL ndalet në Lezhë, dy të dënuar të justifikojnë pasurinë, kush është 'Titi i Ukës' dhe lidhjet me PD-në

21 Shkurt 2020, 15:47

TIRANË - Operacioni "Forca e Ligjit" i ka dërguar me shkrim kërkesën për të vetëdeklaruar pasurinë dy personave me banim në Lezhë, të dënuar për trafik të lëndëve narkotike, të cilët kanë afat 48 orë për të dorëzuar autodeklaratën, përgjigjet e të cilëve do t'i dërgohen SPAK-ut.

Dy subjektet e radhës në sitën e OFL-së janë Edmond Sufja dhe Astrit Limani banues në Lezhë, të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike."Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse. Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi", njoftoi policia e Shtetit.