OFL zhvendoset në Elbasan, fut në ‘skaner’ 4 të dënuar! Mes tyre dhe i arrestuari i dosjes 'Xibraka'

27 Maj 2020, 14:37

OFL zbarkon në Elbasan dhe kërkon burimin e pasurisë për 4 të dënuar për grup kriminal, trafik droge e trafik armësh. Mes tyre edhe Kelmend Dalipi pjesë e grupit kokaina nga laboratori i drogës në Xibrakë. 4 emrat në Elbasan, të cilët u bënë subjekt i OFL janë Kelmend Dalipi i njohur nga dosja 'Xibraka', Eduart Haxhi i dënuar dhe kapur për trafik droge, Xhiljano Xhoxhi i dënuar gjithashtu për drogë me 10 vite burg nga drejtësia italiane si dhe Agron Mehja i dënuar për trafikim të armëve dhe municioneve. Kelmend Dalipi, 45 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Dalipi është një nga të arrestuarit e dosjes 'Xibraka' ku u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës dhe u arrestuan 11 persona, mes tyre dhe nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha. Në laborator u gjet dhe sekuestrua sasia prej 19 kilogramë e 416.2 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë; 8 kg e dyshuar si përzierës i lëndës narkotike kokainë; 400 euro; 769.000 lekë të reja dhe 4150 dollarë amerikanë.Eduart Haxhi, banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal'. Ai është arestuar në 2018 si pjesë e grupit të trafikimit të 580 kg kanabis në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Thanë. Droga ishte fshehur në një fugon dhe po shkonte nga Elbasani drejt Korçës. Fugoni rezultonte në pronësi të një firme fasonerie në Fier. Xhiljano Xhoxhi, banues në Elbasan, i dënuar ne Itali për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Ai është arrestuar në nëntor të vitit të shkuar pasi kërkohej prej vitesh nga drejtësia italiane i akuzuar për grabitje dhe trafik droge. Xhoxhi është dënuar nga drejtësia italiane me 10 vite burg si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e lëndëve narkotike. Ai njihej edhe si krahu i djathtë i “kapobandës” së drogës që drejtohej nga Ilir Koçiaj. Të dy ngritën rrjetin e trafikimit të drogës, punë për të cilën përdornin korrierë nga 6 vende të ndryshme të botës.Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.