OKB paralajmëron krizë humanitare në Liban! Vendi do përballet me krizë ushqimore e rritje çmimesh

8 Gusht 2020, 15:59

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar për një krizë humanitare në Liban pas shpërthimit shkatërrues të së martës në Beirut, që shkaktoi më shumë se 150 viktima dhe mbi 5000 të plagosur. Para shpërthimit të së martës, 75% e Libanezëve kishin nevojë për ndihmë, 33% kishin humbur punët e tyre dhe një milion njerëz po jetonin nën kufirin e varfërisë. Zëdhënësi i WFP, Elisabeth Byrs u tha gazetarëve në Gjenevë se organizata ishte e shqetësuar për dëmtimin e rëndë të portit të Bejrutit - më i madhi në vend - I cili mund të kufizojë rrjedhën e furnizimeve ushqimore dhe do të ndikonte në rritjen e çmimeve. Christian Lindmeier paralajmëroi që spitalet në Liban ishin të tejmbushura me pacientë, disa ishin të dëmtuar dhe jo funksionalë dhe se 500 shtretër kishin humbur.

Presidenti Libanez Michel Aoun refuzoi thirrjet për një hetim ndërkombëtar për ngjarje dhe tha se autoritetet lokale do të shqyrtonin nëse ai ishte shkaktuar nga “ndërhyrje e jashtme, siç qarkullojnë teori kohëve të fundit. Udhëheqësi i lëvizjes Hezbollah, Hassan Nasrallah, gjithashtu mohoi pretendimet se kishte ruajtur armë ose municion në port. Vendimi për të mbajtur kaq shumë lëndë plasëse në një depo afër qendrës së qytetit është pritur me mosbesim dhe tërbim nga shumë libanezë, të cilët kanë akuzuar prej kohësh elitën politike për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim.