Operacioni ndërkombëtar antidrogë! Arrestohen 6 'kokat' shqiptare, mes tyre nipi i deputetit

21 Dhjetor 2020, 17:32

Finalizohet operacioni ndërkombëtar antidrogë mes Shqipërisë, Belgjikës dhe Gjermanisë në kuadër të të cilit kanë rënë në pranga 6 shqiptarë dhe dy të huaj, si dhe janë sekuestruar rreth 232 kilogramë kokainë (në total 1.2 tonë), një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro.

Të arrestuarit janë Musa Gjikola, Genti Balliu alias Flamur Balliu, Ramazan Rraja, Fioralb Rraja, Bledar Pepaj, Fatmir Xhecuka. Ramazan Rraja, është nipi i deputetit te PS-se, Rrahman Rraja, kurse Fjoralb Rraja është i afër i deputetit. Të arrestuarit të cilët mendohet se janë drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal janë kapur jashtë Shqipërisë, ndërsa në vendin tonë nuk është bërë asnjë arrestim por vetëm shoqërime, vëzhgime familjarësh dhe verifikime pasurie.

Operacioni që çoi në pranga 6 shqiptarët  u zhvillua prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë. Operacioni “ATOS” është vazhdim i atij “Paraguaj”, ku më herët ishin prangosur 10 shqiptarë të tjerë, nën akuzat për trafik narkotikësh. Prej vitit 2018 kur antidroga e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë gjermane ka zhvilluar operacionin policor të koduar "Paraguaj", si rezultat i të cilit është sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe janë vënë në pranga 10 shtetas shqiptarë. Në total nga të dyja këto operacione droga e sekuestruar shkon në 1.2 tonë.

Pas arrestimit të 10 personave, operacioni ka vijuar duke u thelluar hetimet, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, çka solli dhe identifikimin dhe kapjen e personave që janë raportuar sot. Ky grup merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë. Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontenierëve.