Operatorët turistikë letër Ramës: Duam paketë të dedikuar, hiq fashën orare, hap plazhet e kufijtë

8 Maj 2020, 13:26

Unioni Turistik Shqiptar i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar që të hiqet fasha orare, të lejohet ushtrimi i aktiviteteve, të lejohet hapja e plazheve dhe me pas të hapet kufirit tokësore për turizmin rajonal. Sipas tyre deri në fund të muajit maj duhet të hapet një turizëm i organizuar dhe i kontrolluar, duke i dhënë mundësinë sektorit që të mbijetojë.

Edhe pse sektori i turizmit është i përfshirë në paketën e dytë të qeverisë ku 10 mijë të punësuar në sektor do të përfitojnë 40 mijë lekë në muaj, unioni thotë se vazhdojnë të kërkojnë një paketë të dedikuar atij.

Në letër ata ngrenë shqetësimin se masat parandaluese të ndërmarra kanë rënduar gjendjen e biznesit dhe nëse sezoni turistik nuk hapet të paketën në 18 maj shumë biznese do të falimentojnë, dhe rreth 70% e të punësuarve rrezikojnë të humbasin vendin e punës.

Nga ana tjetër në letër thuhet se aktiviteti i agjencive turistike, operatorëve turistik, guidave apo edhe transportuesit janë pothuajse në pikën zero të aktivitetit të tyre. Sipas unionit vetëm 70% e hoteleve janë të hapur edhe pse nuk kanë aktivitet.

Sa i takon operatorëve ndërkombëtar, unioni thotë se ata janë të gatshëm të ulin charterat e tyre në 1 qershor në Rinas, pasi kanë kryer parapagime për hotelet. Po ashtu nga ana tjetër ata shprehen të gatshëm për të zbatuar protokollin mjekësor të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që të shpëtohet një nga sektorët që sjell 26% e të ardhurave totale të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

    No videos found.