Për tre orë, opozita jo parlamentare mbajti protestën e shtatë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Nisi rreth orës 10:00 në të njëjtën kohë me nisjen e seancës plenare të Kuvendit, me mbledhjen e protestuesve para Kuvendit në disa tentativa të vazhdueshme të mbështetësve për të çarë kordonin e sigurisë në hyrje të Kuvendit. Të gjitha këto tentativa u udhëhoqën nga ish-deputetët demokratë që qëndruan në ballë të turmës duke shtyrë me forcë efektivët e policisë. E pazakonta e kësaj proteste, ishte tentativa në nisje të saj, për të cënuar sigurinë e një delegacioni holandez të mbërritur në Tiranë, kryesuar nga ministri i Drejtësisë Ferdinand Grapperhaus.
Nën drejtimin e ish-deputetëve Klevis Balliu dhe Albana Vokshi, protestuesit e mbledhur para ministrisë së Brendshme ku Sandër Lleshaj do të priste delegacionin, tentuan disa herë të çajnë kordonin e policëve. Situata u stabilixua nga policia me mbërritjen e delegacionit, të cilët në fakt nuk shfaqën asnjë shenjë interesi për protestën që zhvillohej pas shpinës së tyre.
Ndërkohë, pas disa fjalimeve politike tek Kuvendi, liderët politikë udhëhoqën turmën në një marshim proteste. U ndalën sërish tek Ministria e Brendshme, ku protestuesit sulmuan me bojë fasadën e ministrisë, ndërsa në heshtje jashtë ministrisë qëndronin përballë njëri-tjetrit kryedemokrati Lulzim Basha dhe lideri historik i PD-së, Sali Berisha. Më tej marshimi vijoi drejt selisë blu, aty ku opozita mbylli pas tre orësh protestën, me një fjalim të liderit të opozitës Lulzim Basha.
Tubimi i radhës i opozitës kundër qeverisë do të jetë me 13 Prill, para kryeministrisë.