Opozita 4 orë marshime rreth kryeministrisë dhe sulmon Parlamentin

16 Mars 2019, 18:38

Pas katër orëve në një tubim pa skenar të bërë publik më parë, me lëvizje të papritura nga kryeministria tek Parlamenti, lideri i opozitës tashmë jo parlamentare, përmbylli protestën e opozitës me një fjalim në selinë e Partisë Demokratike, ku nuk munguan fjalët në gjuhën angleze si mesazh për ndërkombëtarët se revolta popullore nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Pa drejtësi dhe me këtë qeveri nuk do të ketë stabilitetit në vend, tha Basha në fjalimin përmbyllës të protestës. Protestat do të vazhdojnë në cdo qytet tha kryedemorkati - deri në rrëzimin e kësaj qeverie. Por për herë të parë nuk dha një datë se kur do të jetë tubimi i radhës para Kryeministrisë në Tiranë.

Dy orët e para të protestës që nisi në orën 11:00 u mbajtën para kryeministrisë. Ishte ish-deputeti Flamur Noka që mbajti tre fjalime që udhëhoqën më tej tre marshime njëri pas tjetrit rreth e qar kryeministrisë, në një akt simbolik për rrethimin e institucionit, me incidente të vogla pasi protestuesit rrëzuan rrethimet e hekurit përqark kryeministrisë dhe një motor të policisë. Në një skenar të papritur, lideri demokrat Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, dhe aleatët e djathtë, ndryshuan itinerarin duke vijuar marshimin drejt Parlamentit. Aty shpërtheu dhuna, pasi mbështetësit e PD-së çanë kordonin me pak efektivë vendosur para Parlamentit. U shpërndanë pas hedhjes së gazit lotjsellës, por ju kundërpërgjigjën policisë duke e qëlluar me gurë dhe me sende të forta, si shkopinj. Për herë të parë në këtë tubim u përdorën edhe autobotët me ujë. Policia shpërndau turmën duke hedhur ujë, pasi autobotët u bllokuan nga simpatizantët e opozitës duke mos lejuar automjetet të drejtoheshin drejt Parlamentit. Policia e Shtetit reagoi në kohë duke çuar përforcimet tek Kuvendi i Shqipërisë. Mes përplasjeve pati edhe tre efektivë të lënduar, ndërsa shumë mbështetës të opozitës patën shqetësime shëndetësore si pasojë e gazit lotsjellës.

Në momentin kur shpërtheu dhuna, lideri Basha dhe Kryemadhi i humbën syrit të mediave, pasi nuk u panë mes turmës, por zgjodhën vende të largëta nga Parlamenti, për t'ju shmangur gazit lotsjellës.

Me shpërndarjen e turmës nga ndërhyrja e policisë, Basha doli sërish në pah, ku në një tjetër marshim, i tërhoqi protestuesit drejt selisë së Partisë Demokratike. E justifikoi dhunën e protestuesve duke thënë se efektivët u qëlluan me gurë pasi u hodh gazi lotsjellës. Ndërkohë Monika Kryemadhi në gjithë këtë protestë nuk mbajti asnjë fjalim politik, përveç një prononcimi për mediat teksa marshoi nda selia e LSI-së drejt kryeministrisë, në çelje të protestës.

    No videos found.