Opozita akuza për dyfishim të pagesave për PPP-të, ministrja e Financave: Nuk është e vërtetë

23 Tetor 2020, 18:41

Opozita ka akuzuar qeverinë menjëherë pas miratimit të projektbuxhetit se qeveria ka dyfishuar pagesat për koncesionet, por Ministrja Denaj ka sqaruar për Report TV, se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, duke i hedhur poshtë këto pretendime.

“Në raport me investimet në infrastrukturë, të gjitha projektet e përfshira në projektbuxhet duke filluar nga financimet e akseve nacionale duke filluar nga Milot-Fieri, Rruga e Arbrit, Orikum-Dukat apo edhe shumë baypasss ai Delvinë-Kardhiq, i Shkodrës, janë punë publike të nisura, dhe i vetmi investim që do të nisi është tuneli i Llogarasë, por që edhe ky është anonçuar më parë nga Kryeministri Edi Rama.  Në vitin 2021 në kemi të parashikuara për pagesat e koncesioneve 14.5 miliardë lekë, nga 14 miliardë që ishin këtë vit por që ne u zvogëluan këtë vit për shkak të pandemisë dhe e dërguam në 7.8 miliardë lekë, pasi arritëm të negocionim dhe arritëm ta ulnim me 40% këtë fond të pagesave, dhe në 2019 ishin 13.7 miliardë lekë. Pra të thuash dyfish ndërkohë që ne e kemi ulur fondin për arsyet negocimi, është e gabuar”, tha Denaj.

Ministrja pohon se mund të ketë përsëri rishikim të pagesave të koncesioneve nëse do të jemi në një situatë emergjente me pandeminë.