Kryeministri Edi Rama nga salla e Kuvendit të Shqipërisë ka deklaruar se vendi e meritoi rekomandimin për hapjen e negociatave. E ndërsa opozita akuzon për kriminalizim të qeverisjes, Rama tha se KE nuk bën dhurata.
Ai deklaroi se vendi do të vijojë që të thellojë reformat, ndërsa para drejtësisë do të dalin gjyqtarët dhe politikanët e korruptuar. Rama e ftoi edhe njëherë opozitën që të mos lobojë kundër integrimit, por të bashkohen për hir të shqiptarëve. Rama akuzoi Bashën se ka hedhur baltë për Shqipërinë gjatë takimeve që ka pasur në Gjermani, referuar takimeve të para dy ditëve që realizoi kreu i opozitës.
U jam shumë mirënjohës të gjithë deputetëve që u përfshinë në procesin e hartimit të reformës në drejtësi. Sot Shqipëria ka fituar një staturë të re në shoqërinë e vendeve evropiane dhe rekomandimi i KE është një dëftesë e plotë që mishëron e kryerjen e detyrave të shtëpisë nga vendi ynë në funksion të çeljes së negociatave, një fazë historike është mbyllur dhe një tjetër është hapur.
KE është një mekanizëm i pamëshirshëm, KE nuk bën dhurata për askënd. Me rekomandimin vendi fiton një fuqi të madhe. Ka një vlerë të jashtëzakonshme, fakti që ka njohur progresin e bërë nga Shqipëria. 21 persona janë larguar nga sistemi i drejtësisë, por duhet të përgjigjen. Nuk do të mjaftojë që këta gjykatës e prokurorë të largohen, por do duhet të përgjigjen, ashtu sikundër do duhet të përgjigjen politikanët, zyrtarët e lartë e pa diskutim të gjithë shkelësit e tjerë të ligjit përballë një drejtësie të çliruar nga të korruptuarit dhe të zgjidhur nga zinxhirët e ndryshkur që po këputen të kapjes për fyti të drejtësisë prej politikës.
Shqipëria ka shënuar progres në rritjen ekonomike dhe të papunësisë. Këtë viti do të rritemi të paktën me një pikë mbi 4, projeksioni ynë është që brenda këtij mandati të kapërcejmë 5% rritje ekonomike. Do kishte qenë më mirë që të ishim të gjithë bashkë në këtë proces, jo kështu ku shumica ka qenë e gatshme për të fituar cdo betejë dhe pakica ka qenë e munguar ose e kundër vendosur, qoftë për ndryshimet kushtetuese apo Vettingun, apo sot kur është fjala për të mos shfrytëzuar askënd në Europë për t’i nxjerrë bishta Shqipërisë.
Edi Rama
Ndërsa, kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar qeverisjen si të lidhur me krimin, megjithatë ka shtuar se Shqipërisë duhet ti hapen negociatat, pasi atëherë do të jetë më shumë e monitoruar nga Europa.
Shqiptarët edhe në ditët e tyre më të vështirë edhe kur u vetizoluan, gjenin një shteg për të parë drejt Europës. Aspirata e shqiptarëve ka qenë Europa. Para se të jenë të djathtë apo të majtë, krishterë apo myslimanë, shqiptarët janë evropianë. Ballkani në BE, ndoshta është pjesa më e guximshme dhe domethënëse e vizionit evropian. Europa e bashkuar po tregon se është e vërtetë në vlerat e saj, po tregon se është e vendosur të bashkojë të gjithë Europën. KE dhe rekomandimin dhe ne shpresojmë që Këshilli do të hapë rrugën edhe pse qeveria jonë ka dështuar. Edhe pse frymëzimi i kryeministrit vjen nga lindja dhe jo perëndimi. PD ka kërkuar me forcë kudo në Europë hapjen e negociatave. BE është shpëtim nga katastrofa ekonomike dhe sociale që na pret me këtë qeveri. Sot nuk është momenti për festë, por për reflektim për hapat që duhen ndërmarrë për hapjen e negociatave. Shqipëria është më e izoluar se kurrë më parë, nuk ka më investime, ndërsa disa vende po mendojnë që të rikthejnë vizat.
Lulzim Basha