Opozita braktis Kuvendin: Të rivotohet 'Teatri'! Balla fton LSI-në: Votojmë ligjin për Magjistratët

19 Korrik 2018, 16:45

Opozita shqiptare ka refuzuar thirrjet e BE për të votuar ligjin për magjistratët, që i hap rrugë zëvendësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar, që kanë krijuar ngërç në drejtësi.

Me pretendimin se votimi për Teatrin Kombëtar është manipuluar, opozita bojkotoi Kuvendin, duke injoruar thirrjet e komisionerit Hahn dhe eurodeputetëve për të qenë të pranishëm gjatë seancave dhe votuar ligjet e zbatimit të reformës në drejtësi.
Opozita kërkoi rivotimin e ligjit për Teatrin Kombëtar nëpërmjet kreut të grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho.

“Në votim u bënë shkelje, një deputet votoi dy herë. Nuk ka pse vidhen votat kur nuk është aspak nevoja. Nëse nuk bëhet rivotimi, ne largohemi nga salla”, deklaroi Spaho. 

Drejtuesja e seancës, Vasilika Hysi u përgjigj shkurt: “Deputetëve të opozitës i urojmë ditë të mbarë”.

Me një herë pas kësaj fraze deputetët e PD braktisën punimet e seancës plenare. Në këto kushte, kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, propozoi që ligji për ndryshimet në kodin rrugor dhe ligji i shkollës së magjistraturës të shtyhen për seancën e 23 korrikut. Balla i përsëriti thirrjen LSI-së për të bashkuar votat me maxhorancën për miratimin e ligjit që i hap rrugë emërimeve të reja në drejtësi, për tY zëvendësuar gjyqtarët e djegur nga Vettingu.

Thirrja ime është që për hir të një procesi dialogu të rëndësishëm me një pjesë të rëndësishme të opozitës të shtyhen për seancën e datës 23. Do kishte qenë mirë që opozita dhe kryetari i grupit të saj, kur bëjnë një kërkesë duhet të respektojnë dhe përgjigjen. Opozita vetëm dy ditë pas vizitës së komisionerit Hahn në Shqipëri, i cili i kërkoi që të mos bojkotojnë parlamentin, ata i përgjigjen me të njëjtën gjuhë.  

Lidhur me pretendimin pse deputeti Bitri ka votuar me kartën e aksidesit të Tavos, por mendoj që kjo është sqaruar. Dhe nëse ka një faj, i takon vetëm deputetëve të opozitës, që u munduan të bëjnë një rreng ndaj një deputeti që ka qenë i asaj partie, por prej pak kohësh është deklaruar si deputet i pavaruar. 

Kreu i grupit të PS tha se do të shtyhet dhe votimi i dy ligjeve që duan shumicë të cilësuar votash siç janë Kodi Rrugor dhe ligji i Magjistraturës. Kemi një ligj të rëndësishëm për të diskutuar sot në parlament, për të votuar 15 djem e vajza në magjistraturë për të vazhduar karrierën e tyre në drejtësi. Se do jenë këta magjistratë të rinj që do plotësojnë vendet vakante të atyre gjykatësve që ka përjashtuar Vettingu.