Dashamir Shehi insiston se në kampin opozitar ka një marrëveshje parimore që në momentin e daljes nga Parlamenti se secili prej aleatëve që doli do të jetë serish në Kuvend. Në një intervistë në studionin e Report Tv kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, ish deputeti, thotë se vetë do të kandidojë në Tiranë.
"Ne e kemi mbyllur në princip që kush ishte ne parlament do të jetë aty. Unë do jem në Tiranë. Se ku do jemi dhe si do jemi nuk kemi mbërritur në këto detaje. Këtu mund të ketë problem PD me LSI-në nëse do dalin me një listë apo me dy lista. Por kjo i takon z. Basha. Ne kemi propozuar edhe në qarqe të tjera por do jenë poshtë në lista. Unë gjykoj që duke u marrë më tepër me këtë punë më shumë bëjmë thashetheme politike sesa politikë në vetvete. Pak a shumë këto punë janë gati", tha Shehi.
Ai i bëri thirrje edhe kryetarëve të tjerë të partive opozitare, por që kundërshtojnë Lulzim Bashën, që t'i bashkohen PD-së.
"Unë i bëj thirrje edhe Topallit edhe Patozit që t'i bashkohen opozitës. Dhe rri më shpresën deri në fund që të bashkohen. Uroj që të më dëgjojnë. Unë ia kam shtruar këto edhe z. Basha dhe i shtroj edhe publikisht. Bashkim do të thotë të bashkosh gjërat që mendojnë ndryshe. Ata që mendojnë njëlloj s'ka nevojë t'i bashkosh. Rudina po desh brenda harkut opozitar e ka vendin e hapur. Për mua mirë së të vijë. Se ku kandidon nuk është ndonjë gjë e madhe", vijoi kreu i LZHK-së.
Megjithatë për Dashamir Shehin shqiptarët nuk kanë këto halle.
"Disa i ka mbytur shiu, disa i ka shembur tërmeti, disa i ka prek pandemia. Këto nuk janë pse është Edi Rama por këto halle keqmenaxhohen se është Edi Rama. Këto halle janë përkeqësuar se ka 8 vite Edi Rama. Ndaj shqiptarët nëse duan të hapet një rrugë të re të votojnë. Duhet thënë që ka një mungesë transparence për të gjitha çështjet. U premtua që për një vit të gjithë do hynin në shtëpi ndërkohë që unë e kam thënë që do të duan të paktën 3 vite", tha ai.
