TIRANË- Partia Demokratike e frikësuar se mund të humbasë zgjedhjet, ka gjetur një alibi tjetër! Ato kanë paditur ditën e sotme në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar, sipas së cilëve po shfrytëzojnë rindërtimin për zgjedhjet elektorale.
Padia është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ku vë në akuzë Ramën se bashku me ministra, kryebashkiakë dhe deputetë për “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
"PD i ka kallëzuar të gjithë për 2 vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Disa nga shembujt e sjellë janë përfshirja e Edi Ramës, Elisa Spiropalit, Taulant Ballës, Belinda Ballukit, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt etj në aktivitete që kanë të bëjnë, kryesisht, me rindërtimin pas tërmetit, ku përdoren burime dhe para publike, si dhe me dhënien e certifikateve të legalizimit apo investimeve të tjera publike. Publikimi i këtyre aktiviteteve është i ndaluar edhe me vendim të KQZ, bazuar në ligjin e miratuar sipas marrëveshjes së qershorit të kaluar", shkruhet në dokument.
Demokratët sjellin në vëmendje padinë për ish- ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka se ka përdorur disa herë helikopterin ushtarak për qëllime elektorale, por sipas tyre SPAK nuk ka bërë asgjë! Prandaj, vijon reagimin e tij Bardhi, kjo padi e sotme "është rasti ideal që të sprovohet në sytë e mbarë opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar dhe të tregojë me vepra se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është i pasur apo i veshur me pushtet".
