Opsionet e Metës për datën e zgjedhjeve, me marrëveshje ose e njëanshme

24 Maj 2019, 16:54

 

Me ofertën presidenciale për të ndryshuar datën zgjedhjeve, Meta ju lë kohë palëve politike të bëjnë një marrëveshje. Kjo do t’ia lehtësonte kreut të shtetit caktimin e datës së re për zgjedhjet lokale. Kushtetuta ka përcaktuar se mandati i të zgjedhurve vendorë, pra kryebashkiakëve dhe këshilltarëve, është 4 vjeçar. Mandatet e të zgjedhurve aktualë kanë filluar në 10 gusht 2015 kur KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar, dhe përfundon, sipas Kushtetutës në 10 gusht 2019. Ndaj data e zgjedhjeve të reja lidhet ngushtë me skadimin e mandateve të kryebashkiakëve aktualë.

Kodi Zgjedhor përcakton zgjedhjet në Shqipëri mbahen në periudha. Atë nga 15 marsi deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor. Pra, 30 qershori, data e dekretuar nga vetë Presidenti Meta është e fundit për sezonin e pranverës.

Ndaj, nëse Meta, në respekt të Kodit Zgjedhor, dekreton një datë pas 15 shtatorit, në sezonin zgjedhor të vjeshtës, atëherë do të përballej me një argument që mazhoranca e mbron, se vendi do të ngelej për disa javë pa qeveri lokale.

Që zgjedhjet të bëhen përpara 10 gushtit, atëherë duhet një dakordësi politike përmes të cilës mund të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Një dispozitë tranzitore do të zgjaste periudhën aktuale zgjedhore të pranverës, ose do të vendoste ta anashkalonte atë për këtë vit. Kështu do të mund të kishim zgjedhje edhe në korrik.

Megjithëkëtë, nuk përjashtohet as mundësia që presidenti të caktojë një datë të re zgjedhjesh pa pritur dakordësinë mes Ramës e Bashës, për sa kohë Gjykata Kushtetuese, e vetmja që mund t’ia rrëzojë dekretin nuk është funksionale.