Optimizëm për futbollin/ Ceferin: Shumë shpejt do të luhet me tifozë

20 Maj 2020, 13:02

Presidenti i Uefa-s Aleksandër Ceferin insiston se futbolli shumë shpejt do të jetë me tifozë në shkallët e stadiumeve pavarësisht se ekspertët parashikojnë që aktivitete sportive do luhen me dyer të mbyllura deri vitin që vjen. Bundesliga është rikthyer në aksion por pa tifozë në shkallët e stadiumeve dhe ligat kryesore që pritet ta mbyllin sezonin ndeshjet do t’i luajnë po ashtu pa tifozë. Megjithatë kreun i Uefa-s sqaron se pandemia e koronavirusit nuk do t’i frenojë tifozët që të futen në stadiume dhe në një intervistë të gjatë për The Guardian ai deklaron: "Ka qënë një situatë serioze por ne tashmë dimë shumë më shumë për virusin dhe në përgjithësi unë jam një person optimist. Nuk më pëlqen që ta shohë këtë situatë si diçka apokaliptike që ne duhet të presim edhe valën e dytë, të tretë apo të pestë të pandemisë. Ne jemi gati dhe po ndjekim rekomandimet e autoriteteve dhe personalisht jam i sigurt se futbolli, ai futbolli i mirë i vjetër me tifozë do të rikthehet shumë shpejt."

Ekziston frika se kriza e COVID-19 do të ndikojë në ecjen përpara të futbollit dhe do të ndikojë në atmosferën e ndeshjeve por Presidenti Ceferin nuk mendon kështu: "Futbolli nuk ndryshoi as pas luftës së parë dhe dytë Botërore dhe nuk besoj se do të ndryshojë tashmë as për shkak të një virusi,”- e mbyll qëndrimin e tij numri një i institucionit që menaxhon futbollin në Europë. Ndërkaq Uefa u ka lehtësuar punën Federatave pasi 25 maji nuk është më afati i fundit për dorëzimin e kalendarëve por ky afat do të jetë deri më 17 qershor. Përgatiti Andi Kapxhiu.