'Ora e Tokës'/ Fiken dritat 60 minuta

31 Mars 2019, 12:15

Qendra e Tiranës fiku mbrëmë dritat për 60 minuta, duke iu bashkuar qindra qyteteve në 187 shtete të botës në shenjë solidarizimi me “Orën e Tokës”, që synon rritjen e vëmendjes globale ndaj çështjeve mjedisore.

I pranishëm në eventin e organizuar me këtë rast në sheshin “Skënderbej”, së bashku me 500 vullnetarë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi ndërgjegjësimin e të rinjve për çështjet mjedisore. Ai tha se “Ora e tokës” është vetëm një arsye më shumë për të nisur diçka, që do zgjasë si një aksion për gjithë jetën dhe për të trashëguar një qytet shumë herë më të mirë.

“‘Ora e tokës’ është vetëm arsyeja, motivi për të nisur diçka që do zgjasë si aksion për gjithë jetën tonë. Unë besoj se në Tiranë po vjen një brez i ri. Takoj djem dhe vajza gjimnazistë, çuna dhe goca në 9-vjeçare, që janë sot shumë më të emancipuar, të cilët nuk e shohin “Orën e Tokës” si sebep, por e shohin si një arsye për të jetuar një stil tjetër jete. Për çdo djalë dhe vajzë që ka mbjellë një pemë sot, do të thotë që ka hedhur rrënjë në qytet, që është më ndryshe se qyteti që trashëguam dje”, tha ai.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash për mbrojtjen e mjedisit, si shtimin e automjeteve elektrike, ndalimin e qeseve plastike, mbjellja masive e pemëve etj, ku një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe grupet vullnetare. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky angazhim duhet të jetë i vazhdueshëm për të transformuar edhe cilësinë e jetës së çdokujt.