Organe të dëmtuara në paketat e cigareve? 'Shëndetësia' kundër, Beqja: Jam i zhgënjyer dhe i habitur

5 Nëntor 2019, 19:00

TIRANE- Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë diskutoi sot nismën e deputetit socialist Ilir Beqja për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Por ku konsiston nisma e deputetit? Beqja kërkon që në paketat e cigareve të vendosen organe të njeriut të dëmtuara si pasojë e konsumit të duhanit. Deputeti tha se projektligji, sipas biznesit nëse do të miratohet do të sjellë evazion fiskal 10 mln euro. Ai tha se ky propozim do kohë dhe kam propozuar dy vite më parë.

Nisma u mbështet nga disa prej kolegëve socialistë të Beqjas, por u kundërshtua nga ministria e Shëndetësisë, që u shpreh kundër në parim, por theksoi se problemi është zbatimi i ligjit, pasi aktuali ligji e ka të parashikuar që ndalohen mesazhet reklamuese. Por Beqja tha se arsyetimi i ministrisë është alogjik. "Në paketë do shkruhet emri i markës por unë jam me shëndetin le ta zgjidhin industritë problemin, si do vendosin emrin por unë propozoj të ndryshojë piktura. Diku në një vend të caktuar është marka për ta dalluar nga një tjetër" tha ai. 

Kryetari i Komisionit Enver Roshi ka shtyrë miratimin ose jo të projektligjit dhe ka thirrur në seancë dëgjimore grupet e interesit. Projektligji i deputetit të PS i depozituar në Kuvend pak javë më parë parashikon që paketat e cigareve të jenë sa më të thjeshta, marka të jetë pa ngjyra dhe të vendosen foto me organe të dëmtuara. Nëse ky ligj miratohet zbatimi i tij fillon në 1 janar 2022. Vendi i parë që vendosi paketimin e thjeshtë të produkteve të duhanit, së bashku me paralajmërimet e reja dhe të zgjeruara shëndetësore ka qenë Australia, dhe më pas Franca, Britania, Irlandën, Norvegjinë, Singaporin, Belgjikën dhe Zelandën e Re.