Orgesa Zaimi tregon se cila është kënga më e bukur këtë vit në 'Këngën Magjike'

8 Nëntor 2019, 16:19

Orgesa Zaimi është një nga këngëtaret shqiptare më të spikatura për stilin e saj, por kjo nuk është e vetmja arsye pse ajo preferohet shumë nga të gjithë.

Këngëtarja shquhet për një natyrë pa komplekse, të drejtëpërdrejtë dhe mendimin e saj për çështje të caktuara i shpreh pa hezitim.

E ftuar në “Rreze Dielli”, Orgesa ka folur për këngën e saj të fundit ‘Verën Ku ma le’, me të cilën merr pjesë në Kengën Magjike, këngë e cila që në momentin e publikimit është pëlqyer shumë nga publiku. Ajo nuk e mohon faktin që synimi është edhe të fitojë një çmim, por shton se arritja kryesore për një artist është që kënga të pëlqehet nga publiku.

Megjithatë as Orgesa nuk i ka shpëtuar pyetjes thumbuese për ‘sistemin e vlerësimit’ në Këngën Magjike.

 “Ky procesi i votimit ka qenë gjithmonë me uljet e ngritjet e veta. Por në fund të ditës unë jam një artiste që gjykoj në këtë mënyrë, dhe kujt nuk i pëlqen, bujrum, kujt i pëlqen faleminderit. Kjo është prova në këtë festival, këtë vit ka ndryshuar. Ne e dinim që do votojmë njëri tjetrin, jam e hapur për çdo gjykim dhe shpresoj të votoj siç duhet. Ne kemi kohë mjaftueshëm për t’i dëgjuar këngët, edhe në prova.”, thotë këngëtarja.

E pyetur se cila është kënga e saj e preferuar në këtë edicion të Këngës Magjike, Orgesa thotë se prurja e Anxhela Peristerit i ka pëlqyer shumë.

Më pëlqen kënga e Anxhelës, më është fiksuar kjo këngë. Kur ajo të fiksohet, do të thotë shumë. Por më pëlqen edhe Erik Lloshi, vjen shumë ndryshe këtë vit. Nga ato që nuk më pëlqejnë janë ato që marrin 5 të kuqe (shaka).”, shton këngëtarja.

Ajo thotë se krahasuar me Festivalin e Fundvitit, Kënga Magjike të sjell më pranë publikut, dhe konfirmon se këtë vit nuk do të jetë pjesëmarrëse në Festivalin e RTSH.