Origjina e COVID-19, SHBA dhe vende të tjera kontestojnë të dhënat e OBSH-së

31 Mars 2021, 13:02

SHBA dhe 13 vende të tjera kanë shprehur shqetësimin për raportin e publikuar nga OBSH mbi origjinën e COVID. Grupi deklaruan se studimi u vonua dhe shkencëtarëve u mungonte qasja e plotë në të dhëna.  

Studimi i pritur gjerësisht të martën u bazua në një hetim nga misioni i agjencisë në qytetin kinez të wuhan, ku virusi i ri u zbulua për herë të parë.

“Ata nuk kanë qenë transparentë, nuk kanë ofruar të dhënat e duhura. Ky mision nuk ka pasur bashkëpunim. Ekspertët tanë, pas një analize të kryer ngritën shqetësimin se gjithçka ka mbetur tek hipotezat, të cilat nuk na çojnë pranë kuptimit apo më shumë njohurive nga sa kishim 6 apo 9 muaj më parë mbi origjinën”, u shpreh Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Ekipi që kreu studimin insiston se ishte vetëm fillimi dhe bën thirrje për durim, teksa pjesa dërrmuese e informacionit është në ardhje.

Peter Ben Embarek, kreu i ekipit kërkimor që udhëtoi në Kinë, tha se raporti "nuk është një produkt statik, por dinamik", duke shtuar se do të ketë analiza të reja.

Deri më tani Embarek tha se nuk kishte asnjë provë që sugjeronte që një nga laboratorët në Wuhan, mund të ishte përfshirë në rrjedhjen e virusit.

Raporti vlerëson se ka “të ngjarë” që virusi të jetë transferuar te njerëzit nga lakuriqët e natës, që e kanë marrë nga një kafshë tjetër që e ka bartur atë; ndërsa teorinë se virusi ka dalë nga laboratori e konsideron si “aspak të mundshme”.