Ortakët italianë përplasen për biznesin e mishit, arrestohet 49 vjeçari në Rinas për mashtrim me rreth 1 milion euro!

19 Prill 2021, 18:53

Në Rinas është arrestuar italiani Gabriele Tarroni Longinotti 49 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për mashtrim.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta siguron dosjen e vendimit të gjykatës ku shpjegohet e gjithë skema e mashtrimit që ka çuar në pranga italianin. Longinotti është arrestuar pak ditë më parë sapo ka mbërritur nga Italia. Ai ka mbritur te Nënë Tereza më 29 mars dhe masa është dhënë në 14 mars përpara se të mbërrinte në Shqipëri.

Gjithçka nis prej janarit të 2020 kur Longinotti së bashku me një partner italian Alberto Presezzi, administrator dhe pronar i shoqerisë "Bruno Presozzi" me qendër në Itali (që merret me Import eksport në të mishit në të gjithë botën) krijuan një shoqëri me seli në Shqipëri me aksione të përbashkëta. Kjo shoqëri sipas vendimit do të përdorej për të kamufluar një aktivitet tjetër që nisej nga Mongolia përfundonte në Shqipëri e më pas tranzit në itali.

Kallëzimi ndodhi për transfertat e parave dhe bëhej fjalë një konflikt interesi që solli përplasjen mes 2 biznesmenëve italianë. Ka qenë shoqëria italiane "Bruno Presezzi" me pronar Alberto Presezzin e cila ka kallëzuar Gabriele Tarroni Longinotti të cilin e akuzon se s’i kishte kaluar një shumë prej afro 1 milion euro (730.000 euro)  për llogari të një kontrate për blerje mishi në Mongoli që më pas do kalonte në Shqipëri. Ndërkaq ai akuzohet dhe për falsifikim dokumentash bankare. Hetimi ka nisur në Shqipëri sepse Gabriele kishte 2 kompani në vendin tonë, njëra “Gala” dhe një tjetër kompani si konsulent.