Shtyrje e datës? Glover e OSBE-së: S'jap sugjerime! S'më ka ndodhur të vëzhgoj zgjedhje pa opozitën!

24 Maj 2019, 12:26 | Përditesimi i fundit: 2019-05-24 15:01:33

TIRANE-Drejtuesja e misionit të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit në Shqipëri, ambasadorja Audrey Glover paraqiti sot në një konferencë shtypi planin e punës. E pyetur nga gazetarët nëse janë sipas standardeve zgjedhjet pa opozitën dhe mundësinë që data e zgjedhjeve të shtyhet, Glover deklaroi se nuk i ka ndodhur që të vëzhgojë zgjedhje në ndonjë vend ku opozita nuk ka marrë pjesë, por shtoi se nuk mund të japë sugjerime për shtyrjen e datës.

"Në fakt nuk më ka ndodhur të vëzhgoj zgjedhjet në ndonjë vend ku opozita nuk ka marrë pjesë. Ne do të raportonim atë që do të shihnim, do të kishim një ditë pas zgjedhjeve raportin tonë të parë me konstatimet me atë që do të shihnim" tha ajo.

Shtyrje e datës së zgjedhjeve? "Nuk është puna jonë që të ndërhyjmë për sugjerime të tilla, ne jemi këtu për të vëzhguar zgjedhjet, nuk na takon të japim sugjerime, pasi do të ishte ndërhyrje. Do të kemi sytë hapur për të parë fenomenet e blerjes së votës apo parregullsi të tjera. Po të kishim më shumë vëzhgues do të ishte më mirë, por në botë zhvillohen zgjedhje edhe në vende të tjera'.

Por a ka shkelur ligjin KQZ-ja për faktin se nuk pranoi komisionerët e PD-së dhe LSI-në në KZAZ-të? "Ne do të duhet të vëzhgonim të gjithë procesin për hapa apo veprime të caktuara dhe pastaj do të raportonim por është ende herët pa e parë procesin. Nuk përmendim parregullsitë kur i shohim presim të dalim me një raport për të dhënë vlerësimin tonë".

Glover është një njohëse e mirë e zgjedhjeve në Shqipëri pasi ka qenë për herë të parë në vitin 1996 në kryesimin e misionit afatgjatë të vëzhgimit. Ajo u pyet nga gazetarët për problemet e zgjedhjeve të '96 që nuk u njohën, por tha se "Nuk mbaj mend zgjedhjet e 1996. Përqendrohemi në këto zgjedhje e të mos shqetësohemi për të shkuarën. Cdo palë zgjedhje është e ndryshme".