Pa frikë nga COVID, derbi i Beogradit 'i vë flakën' koronavirusit, 25 mijë tifoz në ndeshjen Partizani-Crvena Zvezda

11 Qershor 2020, 13:59

Futbolli me F të madhe për herë të parë pas fillimit të koronavirusit ka nisur në Serbi. Derbi i Beogradit mes Partizanit dhe Crvena Zvezdës të mërkurën në mbrëmje u luajt me praninë e 25 mijë spektarëve në stadium, diçka e paimagjinuar në kushtet që ndodhet Europa.

Serbia më 1 qershor mori vendimin që kjo ndeshje të luhet me tifozë, por autoritet kishin urdhëruar për një lloj distancimi fizik në stadium, diçka e cila nuk u rrespektua në asnjë çast nga tifozët, të cilët këtë ndeshje e bëjnë ndër më të zjarrtat në botë.

Nuk munguan përqafimet mes lojtarëve dhe atmosfera mëse e zjarrtë e tifozëve, të cilët në minutën e 32 për shkak të flakadanëve të hedhur në fushë ndërprenë për disa çaste ndeshjen. Një ngjarje kjo mëse e zakontë në kushte normale.

Përsa i përket ndeshjes ajo ishte e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Serbisë, e fituar me shifrat 1-0 nga Partizani i Beogradit. Në finale kjo skuadër do të përballet me Vojvodinën.