Pa ngrohje dhe pa mjekë, spitali i Bulqizës në kushte skandaloze, pak ditë më parë një grua humbi trinjakët

14 Dhjetor 2018, 22:16

Spitali i Bulqizës është bërë problem i herë pas hershëm në kronikat tona. Spitali është shkatërruar.  Mungon ngrohja ndërkohë që temperaturat janë në – 10 gradë. Pacientet e moshave të ndryshme si fëmijë dhe të moshuar, marrin ngrohëse nga shtëpia, pasi kaldajat nuk janë funksionale.

Komedinat që mbahen ushqimet e të sëmurëve, u janë vendosur pllaka trotuari në vend të këmbëve. Ndërkohë në katin e dytë të spitalit ka mbetje spitalore thuajse në çdo cep. Pacientët shprehen se gjendja e spitalit është e mjerueshme, por për shkak të pamundësive dhe rëndimit nga sëmundja detyrohen të qëndrojnë në kushte të tilla.

Problematikat në spitalin e Bulqizës janë nga më të ndryshmet, madje pak ditë më parë një grua humbi trinjakët e saj si pasojë e mungesës së kushteve më elementare (lexo këtu). Atje mungojnë inkubatorët, por problem më i madh mbetët mungesa e mjekëve specialist.

d.ba.