Pa praninë e avokatit, ish-kryeprokurori i Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj del para vettingut

14 Tetor 2019, 10:37 | Përditesimi i fundit: 2019-10-14 17:10:44

TIRANË- Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka dalë sot përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Hajdaramataj është paraqitur në seancë i vetëm pa praninë e një avokati. Vetingu për prokurorin Hajdarmataj po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Suela Zhegu.

Ai do të vlerësohet në bazë të tre kritereve, pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.

Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.

Në maj të vitit 2018, kryeprokurorja Arta Marku e shkarkoi Hajdarmatajn si drejtues të Prokurorisë për Krimet e Rënda, duke e zëvendësuar me Donika Prelën. Disa muaj më vonë, Marku e transferoi Hajdarmatajn në Progradec, por në fillim të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ktheu atë  pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë por këtë herë si prokuror. Ditën e sotme Hajdarmataj do të njihet me rezultatet e verifikimit, ku me interes pritet konkluzionet për figurën dhe vendimmarrjet për dosjet.