Pacienti me COVID, hidhet nga kati i 2-të i Infektivit dhe shpëton! QSUT: Jemi në krye të detyrës!

10 Nëntor 2020, 18:33

TIRANË- Një 69-vjeçar i infektuar me COVID-19 është hedhur ditën e sotme nga kati i dytëi spitalit Infektiv në Tiranë, por fatmirësisht ka shpëtuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 dhe pacienti është identifikuar si R. G., 69 vjeç, i shtruar para një dite në spitalin COVID/1 në Tiranë. Mësohet se pacienti ka dalë nga korridori i spitali dhe është hedhur nga kati i dytë. Ndërkohë, spitali është rrethuar nga forca të shumta policie të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në raste të tilla është e vështirë marrja e provës materiale, për shkak se pacienti është me COVID dhe përbën rrezik infektimi.Ky është rasti i katërt, ku pacientë të infektuar me COVID janë vetëflijuar duke u hedhur nga dritarja e spitalit ku kanë qenë të shtruar. Më herët janë regjistruar 3 raste te Sanatoriumi i njohur si COVID/2. Rasti i parë ndodhi në muajin gusht. Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Xhino Koça. Më pas, një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në shtator ku humbi jetën Hasan Mira rreth 65 vjeç. Rasti i tretë u regjistrua në nëntor, më konkretisht më 1 nëntor. Ishte 53-vjeçari me iniciale P.Gj. nga Tropoja i cili në kushte të rënduara psikologjike zgjodhi t'i jepte fund jetës në mënyrën më tragjike. Studimet kanë treguar se COVID-19 është një virus i cili ndikon jo vetëm në mushkëri apo organe të tjera, por sjell edhe pasoja të rënda psikologjike, edhe për pasojë janë regjistruar ngjarje të tilla tragjike. Numri i vetëvrasjeve është rritur shumë gjatë kësaj periudhe. Në vlerësimin e psikiatres, Arjana Rreli ky rast dhe dy vetëvrasjet e mëparshme në të njëjta rrethana, kanë ndodhur për shkak të panikut dhe parashikimit në mënyrën më të keqe të finales.