Padia e Ballës për denoncimin e Nuhut, Lulzim Basha thirret të premten në prokurori

10 Tetor 2018, 18:56

TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është thirrur për të dëshmuar ditën e premte në prokurori si person në hetim në procedimin penal për shpërdorim detyre, shpifje dhe fyerje në kallëzimin e bërë nga Taulant Balla për rastin e ish-oficerit Emiljano Nuhu.

Pas denoncimit të Emiljano Nuhut dy javë më parë, Balla kallëzoi penalisht Lulzim Bashën, Edi Palokën, Enkelejd Alibeajn, Basir Çollakun dhe Emiljano Nuhun. Ish-oficeri i Krujës, Nuhu që kërkoi azil në Zvicër pretendon se në datë 21 korrik është kërcënuar më armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja.

Ai akuzon se në datë 21 korrik vëllai i deputetit i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan. Por Nuhu, kur bëri më 30 korrik kallëzimin në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut.

Kufizohet vetëm të thotë se pasditen e 30 korrikut dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rraja, e kanë kontaktuar nëpërmjet Ëhat’s up-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë. Sipas policisë që heton mbi këtë çështje, këto kërcënime me armë në të vërtetë nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik.

Pas denoncimit të tij dy javë më parë, opozita sulmoi kryetarin e grupit të PS duke e akuzuar se mbrojti djalin e deputetit të Krujës, por Taulant Balla i kallëzoi penalisht për tre vepra penale. Ndërsa në datë 4 tetor, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla dëshmoi për rreth dy orë në Prokurorinë e Tiranës lidhur me këtë çështje.

Balla përveç dëshmisë para prokurores Elsa Miha, depozitoi edhe tabulatet telefonike të asaj dite, 21 korrikut, të marra vetë pranë kompanisë celulare, që provojnë sipas tij se Lulzim Basha ka gënjyer, pasi nuk ka qenë në Fushë Krujë sikur denoncoi Nuhu. Tashmë pritet nëse Lulzim Basha do të shkojë në prokurori për të dëshmuar për akuzat ndaj Ballës në lidhje me këtë cështje.