Pajisje për të përgjuar celularin e Donald Trump? Netanyahu: Fake News, nuk spiunojmë SHBA

13 Shtator 2019, 11:54

Ndërsa po nisej për në Soçi, për të takuar presidentin rus Putin, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohoi kategorikisht se ka spiunuar celularin e Donald Trump.

"Ne kemi një linjë direktive, nuk spiunojmë Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka asnjë përjashtim. E gjitha kjo është një Fake News”

Sipas një investigimi kryer nga ‘Politico’, janë gjetur aparate që mund të përgjonin telefonatat e vetë presidentit amerikan, i cili ka një celular privat dhe shpesh nuk respekton protokollet e sigurisë.

Administrata Trump ende nuk ka protestuar kundër qeverisë izraelite dhe kjo e fundit nuk ka pasur pasoja të këtij veprimi.

Përkundrazi: "Unë nuk mendoj se izraelitët na kanë spiunuar. Do të ishte e vështirë të besohej. Gjithçka është e mundur, por unë nuk e besoj", tha presidenti Donald Trump.

Sipas “Politico”, Shërbimi sekret izraelit ishte ndoshta përgjegjës për vendosjen e pajisjeve të përgjimit të gjetura pranë Shtëpisë së Bardhë dhe në disa vende të tjera të rëndësishme në Washington DC.

Pajisjet e përgjimit, "me gjasë kishin për qëllim të spiunonin Presidentin Donald Trump", shkruante “Politico”.