Pakënaqësi për listat e PD në Vlorë? Ina Zhupa mohon zërat: I vetmi i ‘pakënaqur’ Edi Rama!

10 Mars 2021, 18:55

Ina Zhupa mohon zërat se demokratët e Vlorës janë të pakënaqur nga listat e kandidatëve që selia blu nxori në garën elektorale. E renditur e dyta në këtë listë, zëdhënësja e Partisë Demokratike, e cila garon për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme, thotë se i vetmi i ‘pakënaqur’ me kandidatët e PD, është Edi Rama i cili po ndjen frikën e humbjes.

“Në Vlorë nuk ka asnjë pakënaqësi që nga qytetari i parë që përfaqëson PD, e deri te qytetari më i thjeshtë, madje e kanë pritur me shumë entuziazëm listën këto janë shenja të trembjes së Edi Ramës nga humbja në qarkun ku edhe vetë kandidon. Pakënaqësia është shumë e madhe, por ndaj Edi Ramës, jo ndaj listës së PD” , tha Zhupa.

Ekipi i kandidatëve thotë Zhupa është i vendosur për të korrur fitore, dhe të gjitha strukturat po punojnë për këtë qëllim dhe se Bujar Leskaj është në krye të fushatës

"Bujar Leskaj është në krye të fushatës, është një sajesë   Ramës, lista është kompakte ne kemi besim te njëri tjetri dhe do të punojmë për të maksimalizuar votën. Nuk është një koalicion emrash për të marrë mandatin, por për t'ju përgjigjur qytetarëve", tha Zhupa.

Një koment  Ina Zhupa e ka edhe për kandidatët e Partisë Socialiste. Sipas Zhupës, pavarësisht makijazhit politik që kryeministri i ka vënë listave të tij me emra si Najada Como e Luljeta Bozo, fytyra e vërtetë e këtyre listave, është ajo e Ramës.

"Ne kemi listën më të mirë, më dinjitoze për qytetarët, me intelektualë, njerëz të punës, njerëz pa njolla dhe të palidhur me krimin, siç i ka Rama, me njerëz që fliten në përgjime, të gjithë ata janë kandidatët e Ramës, mundohet të bëjë një makijazh politik, por gjërat nuk ndryshojnë sepse Rama është koka e listës", tha Zhupa.