Paketa Fiskale 2020, ndryshon pagesa për tatimin mbi të ardhurat personale

13 Nëntor 2019, 15:37

Nga viti i ardhshëm, qytetarët që bëjnë më shumë se një punë do të paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale, edhe në rast se në secilën prej tyre marrin më pak se 30.000 lekë në muaj. Ky është një nga amendamentet në Ligjin për Të ardhurat personale, paraqitur sot në Komisionin e Kuvendit për Ekonominë. Të punësuarit që do të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, pritet të shtohen në vitin e ardhshëm pasi Ministria e Financave ka propozuar që të tatojë të gjithë personat që janë të dypunësuar, apo më tepër, dhe të ardhurat e tyre në total kalojnë mbi 30 mijë lekë në muaj si shkak i dypunësimit.

Pra nëse një person është i dypunësuar dhe, si rezultat i këtij dypunësimi merr më shumë të ardhura se 30 mijë lekë, ai duhet të pagujë për totalin e të ardhurave tatimin prej 13%. Deri tani, pagat deri në 30.000 lekë nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat. 

Ndërkohë në komisionin e Ekonomisë Ministrja e Financave, Anila Denaj ka deklaruar se rritja ekonomike e vitit të ardhshëm 2020 do të jetë 4.1% dhe do ndihmohet nga konsumi i brendshëm.

"Rritja ekonomike e vitit të ardhshëm do të jetë  4.1% dhe do ndihmohet nga konsumi i brendshëm. Synojmë të hapim 35 mijë vende pune. Investimet do të jenë në nivelin e 4.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto" ka thënë ministrja Denaj. Ndërkohë Denaj ndër të tjera ka theksuar se Borxhi publik në vitin e ardhshëm do zbres në nivelin 62.2%, ne vitin 2021 do zbres në 59% dhe në vitin 2022 do jetë 57%.