Paketa ‘Riviera Shqiptare’ këtë vit 350 euro personi, në 2019 ishte 190-250 euro! COVID-i shtrenjton ofertat edhe për Turqinë

19 Gusht 2020, 15:55

TIRANË- Mbyllja e kufijve për të mos lejuar përhapjen e infeksionit COVID-19, goditjen më të madhe ia ka shkaktuar turizmit. Përpos këtij fakti të pushosh këtë vit në vendet ku të lejohet kalimi i kufirit çuditërisht është më shtrenjtë se një vit më parë. Antalia me oferta All-Inclusive, këtë verë pret shqiptarët me oferta minimumi 100 euro më të shtrenjta.

Duke qenë se Turqia nuk aplikon masa të rrepta ndaj shqiptarëve për të kaluar kufirin, destinacionet turistike atje mbeten zgjidhja e parë e tyre, nëse zgjedhin të pushojnë jashtë vendit.

4 ditë në Antalia këtë vit i kushtojnë një personi minimalisht 300 euro, nga 240-250 euro që ishte në vitin e kaluar. Ndërkohë paketat turistike për dy persona i peshojnë edhe më shumë xhepit të qytetarit.

Nga 950 euro e deri në 1500 euro çifti janë ofertat që të serviren në faqet zyrtare të Agjencive Turistike nëse zgjedh të pushosh në Turqi. Ndërkohë hedhur një sy të njëjtave paketa të një viti më parë ata fillojnë 800 euro deri më 1250-1300 euro çifti. Shtrenjtimi më i madh i çmimeve vërehet në muajin gusht, ndërsa në muajin shtator ofertat disa ditore për të njëjtat destinacionet pësojnë rënie të ndjeshme.

Pusho shqip ishte slogani i këtij viti! Por as Shqipëria nuk i shpëtoi këtij trendi, edhe pse ka mungesë turistësh. Pandemia arriti të ulë numrin e të huajve me mbi 60%, e nga ana tjetër çmimet ndoqën krahun e kundërt.

Ofertat 1 ose 2 ditore në Ksamil, Sarandë, Vlorë, Dhërmi, Jalë nisin nga 45 euro për person, për të përfunduar deri në 79 euro, në disa agjenci turistike, duke u rritur me nga 10 deri në 20 euro.

Ndërsa për pushime më afatgjata, 5 ditë në Drimadhe-Jalë i kushtojnë një personi nga 150 deri në 179 euro. Për pjesën tjetër të bregdetit Sarandë-Ksamil-Krorëz paketat 5 ditore nisin nga 129 euro deri në 169 euro personi, në varësi të hoteleve.