Pakoja e Vitit të Ri për pensionistët, nesër nis marrja e shpërblimit

16 Dhjetor 2018, 17:33

Nga data 17 dhjetor nis shpërndarja e shpërblimit për pensionistët. Më shumë se 650 mijë pensionistë do të nisin ditën e hënë të marrin 5 mijë lekë, shpërblim të vendosur nga qeveria. Kush nuk e ka marrë ende pensionin do ta marrë shpërblimin bashkë me pensionin. Ndërkohë që ata të cilët e kanë marrë pensionin, do ta tërheqin shpërblimin duke filluar nga dita e hënë. Shpërblimi do të merret në postë. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado, i kontaktuar nga gazeta, thotë se nga dita e hënë pensionistët duhet të paraqiten në postë për të tërhequr shpërblimin. 

 “Nga data 17 dhjetor do të nis procesi i shpërndarjes së shpërblimeve dhe të gjithë ata që kanë datën në këtë grafik, pavarësisht nga llojet e pensioneve, do ta marrin shpërblimin bashkë me pensionin. Dhe të gjithë ata, po themi ata që e kanë marrë pensionin ditën e hënë, 3 dhjetor do të lihet që të hënën pasdite të marrin shpërblimet, në varësi të grafikut të cilin do ta publikojmë. Duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri rreth mesditës, punonjësit e Postës do t’u shpërndajnë pensionin atyre që kanë ditën dhe pasdite do të shpërndajnë shpërblimin vetëm për ata persona që u ka kaluar data e marrjes së pensionit. Sigurisht, që do të punojmë me orar të zgjatur. Numri total i përfituesve është 650 mijë e 600 përfitues”, – u shpreh Astrit Hado.