Pakti me PS-në/ Vasili: Ishte përgjegjësi e opozitës, 8 kushtet e tjera të Bundestagut detyrim i qeverisë

15 Janar 2020, 16:07

TIRANE-Petrit Vasili, i mandatuar nga LSI-ja për tryezën e dialogut me qeverinë dhe opozitën në Kuvend për reformën zgjedhore në një deklaratë për mediat u shpreh sot se pas kësaj cështje janë edhe tetë të tjera që presin nga nëntë kushtet e Bundestagut. Ai tha se me pranimin për t'u ulur në këtë tryezë, opozita e ka plotësuar përgjegjësinë e saj.

"Zgjidhja e dhënë dje ishte ajo e propozuar muaj më parë nga opozita për një mekanizëm me dy palë. Qeveria është fajtore për këtë vonesë që i kushtoi vendit bllokimin e negociatave. Kjo qeveri duhet larguar menjëherë dhe sa më parë.

Opozita kishte një përgjegjësi për një nga nëntë pikat e Bundestagut gjerman dhe gjithë Europa dhe me një sjellje të përgjegjshme bëri gjithcka që kjo të merrte zgjidhje, pavarësisht rezistencës kriminale të qeverisë për ta mbajtur Shqipërinë jashtë Europës. Tani janë edhe tetë cështje të tjera që presin, por këto janë detyrim i qeverisë. Shqiptarët sot janë më të qetë dhe qartë" tha ai.

Dje në një tryezë të bashkëkryetarëve të komisionit të posaçëm, Gjiknuri dhe Hajdari me dy përfaqësues të mandatuar nga opozita e bashkuar, Vasili e Bylykbashi arritën në dakordësi që të miratojnë në parlament pa ndryshime, me konsensus të plotë, një draft të përbashkët, që pritet të miratohet jo më vonë se 15 marsi.