Pallate e vila të pajustifikuara/ Pse u shkarkuan 4 gjyqtarët që shpëtuan Dritan Dajtin nga burgu i përjetshëm, i pesti së shpejti para Vetingut

10 Gusht 2020, 18:36

Rrëzimi i burgimit të përjetshëm për Dirtan Dajtin, i akuzuar dhe i dënuar për 5 vrasje, mes të cilëve 4 efektivë policie, një plagosje, armëmbajtje pa leje, arratisje, falsifikim dokumentesh dhe vulave si dhe mbajtje pa lejë të uniformës, mbetet nga skandalet dhe njollat më të zeza të drejtësisë shqiptare. 17 muaj pas këtij vendimi, i dënuar nga të gjithë faktorët politikë në Shqipëri, 4 nga 5 gjyqtarët që firmosën heqjen e dënimit të përjetshëm Dritan Dajtit, nuk janë më pjesë drejtësisë. Aleks Nikolli, Petrit Aliaj, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha janë shkarkuar nga detyra si dhe janë përjashtuar për 15 vjet nga drejtësia. Ndërkaq, për Skënder Daminin, gjyqtarin e pestë që mori pjesë në shpëtimin e Dritan Dajtit nga burgu i përjetshëm, procesi i Vetingut ka nisur që në 15 mars 2019. 

Gjyqtari në Apelin Shkodrës Aleks Nikolli, i cili ka kryesuar trupin gjykues për çështjen Dajti në shkurt të 2019, është shkarkuar nga detyra ditën e sotme me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut. Seanca dëgjimore me Nikollin zgjati 8 orë. Gjyqtari iu nënshtrua Vetingut vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas dosjes së verifikimit, Aleks Nikolli nuk justifikonte me të ardhura të ligjshme ndërtimin e një shtëpie trekatëshe në fshatin Ishull Shëngjin të Lezhës. Gjithashtu, Komisioni i Vetingut ngriti dyshime të forta sa i takon përdorimit nga gjyqtari të një pasurie të paluajtshme të të vëllait, konkretisht një apartamenti 82 m2  në Lezhë dhe dy shtesa me sipërfaqe 68 m2 dhe 78.6 m2.