Pallatet e ndërtuara pas 2015 janë më të shtrenjta! Inxhinieri liston disa nga shkaqet

28 Shkurt 2021, 09:28

Inxhinieri Lefter Sila ka listuar disa nga shkaqet kryesore të shtrenjtimit të apartamenteve në Tiranë.

Pse çmimet e apartamenteve janë shtrenjtuar kaq shumë në Tiranë?

Lefter Sila: Ndërtimet e reja sidomos ato që kanë filluar pas vitit 2015, kanë një rritje të ndjeshme të çmimit krahasuar me ato që janë ndërtuara para këtij viti. Mund të themi që është një rritje 30-40% më e madhe. Janë disa faktorë që ndikojnë: Në radhë të parë pronarët e kanë rritur mjaft përqindjen e këmbimit që marrin në kontratë me ndërtuesin. Kjo përqindje shkon nga 30% në zonat e larta e deri në 50% në qendër. Që do të thotë se ndërtuesit i mbetet për tu shitur më pak se në rast se do e kishte të gjithë pallatin.

Faktori i dytë është që taksat e bashkisë janë rritur në mënyrë të ndjeshme, 8% është ajo e çmimit të shitjes dhe 1% e kostos së ndërtimit. Së treti cilësia e ndërtimit është rritur gjithashtu kështu që është rritur edhe kostoja e ndërtimit. Tjetër, parkingjet që po bëhen poshtë pallateve ndikojnë në shtrenjtimin e tyre. Po ashtu, ndërtuesit kanë pritur 6-7-8 vjet derisa të merrnin lejet e ndërtimit dhe gjatë kësaj kohe kanë harxhuar vlera të mëdha monetare për të mirëmbajtur makineritë, punëtorët.

Ndërtuesit kur bëjnë një pallat një pjesë e mbajnë për vete dhe njerëzit e tyre një pjesë e japin me klering, dhe duke bërë edhe diferencën që mbajnë edhe pronarët e tokës atij i mbetet për të shitur 30-40% të pallatit, me këtë shitje ai do të fitojë edhe për vete por edhe të shlyej kostot e lartpërmendura.

Krahasuar me vitin 2019 a ka pasur rritje të lartë të çmimit?

Lefter Sila: Unë mendoj se rritja nga viti 2019-2020 ka qenë më e ulët, ndërsa bumi i rritjes është nga viti 2015, për ndërtimet e reja dhe ato që po ndërtohen tani me themele.