PAMJA e trishtë që ASKUSH nuk do donte të shihte...E moshuara e vetmuar në spital

25 Mars 2020, 10:15 | Përditesimi i fundit: 2020-03-25 10:17:28

TIRANË -  E vetme duke u futur në derën e spitalit, me shpresën dhe lutjet për t'ia hedhur, e për të dalë shëndoshë e mirë. Ecën me këmbët e saj, megjithatë hapat e avashtë tregojnë vitet që mban mbi supe. Kjo është pamja e trishtë sot në mëngjes nga Spitali Infektiv në Tiranë. Një e moshuar që mbërriti me ambulancën e spitalit të Kavajës, e dyshuar se mund të jetë prekur nga COVID-19, që rrezikon më shumë, pikërisht ata, të moshuarit.

Një pamje që të këput shpirtin. Mund të jetë gjyshja e secilit prej nesh. Por aty është krejt e vetme. Duke ecur me këmbët e saj, teksa çdo hap i hedhur shfaq rrugëtimin e vështirë në përballjen me këtë sëmundje, që të gjithë bashkarish lutemi të jetë me sa më pak pasoja. 

Sytë e gjithë shqiptarëve sot duhet të jenë nga kjo gjyshe. Ashtu, te vetme, do të përballen edhe gjyshet tona nëse nuk kujdesemi, nëse nuk qëndrojmë në shtëpi, nëse nuk respektojmë distancat kur dalim, nëse nuk rrimë me maska e doreza kur punojmë, nëse... Rregullat janë të shumta dhe gjithsecili prej nesh duhet të ndjejë përgjegjësinë shoqërore, që pamje të tilla, të mos i shohim përditë në ekranet shqiptare. Me shpresën dhe urimin që t'i shohim të gjithë të sëmurët të dalin shëndoshë e mirë me këmbët e tyre, Shqiptarja.com i bashkohet apelit dhe thirrjes të autoriteteve, të bluzave të bardha që janë në frontin e parë të luftës: Qëndroni në shtëpi, ruani veten, familjen, gjyshërit tuaj dhe gjithë shoqërinë. Nëse bëhemi të gjithë bashkë në këtë betejë, Shqipëria do t'ia dalë.