Pamje nga kantieri/ Si duket deri më tani 'Rruga e Arbrit', kur pritet të përfundojë

17 Maj 2019, 11:36

"Rruga e Arbrit” që lidh Peshkopinë me Tiranën në më pak se një orë, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe të mallrave mes dy zonave, ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare të betonimit dhe hidroizolimit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga punimet në këtë rrugë, e cila do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga kantieri i punës për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashmë pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit.

Në bazë të kontratës rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh, por me volumin e kryer dhe me angazhimin e konçensionarit pritet që rruga të përfundojë më herët.

“Rruga e Arbrit” do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Rruga kalon në Qarkun e Tiranës – në Njësinë Administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, fshati Fshat.

Pas daljes nga tuneli i Qafë-Buallit rruga kalon në afërsi të urës së Cerenecit, si dhe në të djathtë të fshatit Shupenzë.

    No videos found.