Pamje satelitore të masakrës mjedisore, kompania turke në Kukës ndërtoi objekte pa leje, në veprim policia ndërtimore

22 Nëntor 2019, 11:49

Kjo është një fotografi ajrore e vitit 2007, që tregon territorin dhe gjendjen e fabrikës së ferokromit në Kalimash të Kukësit. Terreni është në këtë gjendje që shohim, dhe kjo foto është bërë, tre vite para se kjo minierë të jepej me koncesion, për 35 vite me radhë nga ish-ministri i Energjitikës Dritan Prifti.
Nga imazhi hartografik, por edhe nga krahasimi i gjendjes me imazhin e vitit 2019 (nga Google),rezulton që kantieri i fabrikës së ferokromit Kalimash, ka pësuar një sërë ndryshimesh në organizim, sheshe pune për makineri, prishje ndërtimesh dhe ndërtime të reja.
Kjo vërehet me këtë foto të shkrepur nga ajri në vitin 2015, ku dallohet qartë se pesë vite pasi ka marrë konçesionin e shfrytëzimit të minierës, kompania “Illyria Minerals Industry”, ka prishur ndërtesa dhe ka ndërtuar objekte.