Pamjet e Konvaleshencës, komisari vdiq në gjumë në godinën 10-vjeçare, 112 studentë shpëtuan te ajo 1956

28 Nëntor 2019, 15:28 | Përditesimi i fundit: 2019-11-28 18:31:14

TIRANE - Në tragjedinë e tërmetit, që ka një bilanc shumë të rëndë, është shmangur një tjetër tragjedi. Në mjediset e Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme në Durrës, gjatë shembjes të së cilës humbi jetën kryekomisar Bajram Hajdarmataj, në momentin e tërmetit ndodheshin edhe 112 kursantë të rinj.

Ata bënin pjesë në kursin e ri të Akademisë së Policisë, që përfshin 500 studentë. Pasi nuk kishte vend për të gjithë në Akademinë e Policisë të Tiranës, një grup prej 112 kursantësh u strehua pranë mjediseve të Konvaleshencës së Durrësit, bashkë me 5 pedagogë dhe aty zhvilloheshin leksionet. Mes pedagogëve ishte edhe oficeri Bajram Hajdarmataj.  

Report TV është në gjendje të tregojë pamjet e asaj çka mbetet nga godina kryesore, në të cilën, në çastin e tërmetit, flinte Hajdarmataj dhe një oficer tjetër. Për fat të keq, kryekomisari Hajdarmataj nuk arriti të shpëtojë, ndërsa kolegu i tij, që flinte në dhomën tjetër, mbeti i plagosur, por mbijetoi.

Kjo pjesë e Konvaleshencës ishte ndërtuar mes viteve 1986 dhe 1991 nga ndërmarrja e ndërtimit Durrës, por kishte mbetur si 'karabina’ për shumë vjet pas rënies së regjimit. Në mesin e viteve 2000 rifilluan punimet dhe struktura u përurua më 2008.

Në këtë godinë të re përfshihej edhe mensa, ku çdo ditë mblidheshin për të ngrënë edhe 112 kursantët, të cilët flinin në pjesën e vjetër të Konvaleshencës, një godinë e ndërtuar në vitin 1956, por që për fat të mirë i rezistoi tërmetit shumë më mirë se sa pjesa e re, e ndërtuar vetëm 10 vjet më parë. Në fakt, godina e vjetër ka pësuar shumë dëme, por nuk është shembur, duke u dhënë mundësi të 112 kursantëve të shpëtonin pa asnjë të lënduar.  

Bajram Hajdarmataj ishte pedagog në Akademinë e Sigurisë me gradën komisar. Miq e kolegë e nderuan kujtimin e tij përmes një ceremonie lamtumire ku ishin të pranishëm drejtues të lartë të Policisë së Shtetit përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, prej nga ai ishte me origjinë. Fjalë përlotëse për babanë ka shkruar djali i tij, i cili kishte kohë pa e takuar të atin, e teksa ndan mallin për ta takuar, shprehet me fjalë rrëqethëse për humbjen e tij.